Kushtet e BE, Shqipëria pa progres në zbatimin e reformave energjetike
Raporti vjetor i Komunitetit të Energjisë tregon se Shqipëria nuk ka shënuar përparim domethënës në zbatimin e reformave, duke mbetur nën mesataren rajonale.
Shqipëria nuk ka bërë hapa të dukshëm përpara në zbatimin e reformave të sektorit të energjisë, sipas raportit të fundit vjetor të publikuar nga Sekretariati i Komunitetit të Energjisë. Vlerësimi tregon se në shumicën e fushave progresi është minimal krahasuar me vitin 2024, ndërsa në disa tregues regjistrohet edhe rënie.
Tregjet dhe integrimi
Në fushën e “Tregjeve dhe integrimit”, niveli i realizimit vlerësohet në 41%, nga 42% që ishte një vit më parë. Raporti thekson se Shqipëria duhet të integrojë më shpejt Paketën e Integrimit të Energjisë Elektrike në kuadrin ligjor kombëtar, për të mundësuar bashkimin e tregjeve dhe pjesëmarrjen në platformat europiane të balancimit. Gjithashtu, kërkohet prioritet për liberalizimin e plotë të tregut me shumicë dhe pakicë të energjisë elektrike.
Dekarbonizimi i sektorit të energjisë
Dekarbonizimi shënon një përmirësim të lehtë, me nivel zbatimi 60%, nga 57% një vit më parë. Megjithatë, raporti rekomandon miratimin e një strategjie afatgjatë për neutralitet klimatik deri në vitin 2050, përfundimin e transpozimit dhe zbatimit të sistemit MRVA, si dhe përafrimin urgjent me kriteret e qëndrueshmërisë për biokarburantet dhe lëndët djegëse nga biomasa.
Gjithashtu kërkohet krijimi i një kornize ligjore për burimet e rinovueshme në ngrohje dhe ftohje, forcimi i skemës së eficiencës energjetike dhe finalizimi i rregulloreve të etiketimit.
Sigurimi i energjisë
Në treguesin e “Sigurimit të energjisë”, Shqipëria vlerësohet me 40% realizim, nga 38% në vitin 2024. Sekretariati nënvizon nevojën për transpozimin e rregulloreve të BE-së për gatishmërinë ndaj rreziqeve, caktimin e një autoriteti kompetent dhe hartimin e një plani kombëtar për menaxhimin e rreziqeve në furnizim.
Mjedisi dhe performanca institucionale
Përmirësimi i mjedisit ka shënuar rënie, me 46% realizim nga 47% një vit më parë. Raporti kërkon ndryshime urgjente në legjislacionin për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis dhe forcimin e zbatimit të Vlerësimeve Strategjike Mjedisore.
Ndërkohë, performanca e autoriteteve vlerësohet me 74%, nga 70% në vitin 2024, duke qenë treguesi më pozitiv për Shqipërinë. Megjithatë, raporti kërkon forcim të pavarësisë dhe kapaciteteve të institucioneve, si dhe dhënien e mandatit rregullator ERE-s për integrimin e tregut.
Shqipëria nën mesataren rajonale
Në krahasim me vendet e tjera të rajonit, Shqipëria renditet mes performuesve më të dobët, së bashku me Kosovën dhe Bosnjën, duke mbetur nën mesataren e përgjithshme. Ndër vendet me progres më të madh përmenden Moldavia, Serbia, Ukraina, si dhe Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi.
Raporti thekson se përshpejtimi i përafrimit me direktivat e BE-së dhe forcimi i reformave strukturore mbeten thelbësore për avancimin e procesit të integrimit europian të vendit.